Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, gjatë zhvillimit të hetimeve në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente, ka siguruar prova të besueshme për përfshirjen e dy personave të dyshuar në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Policisë, i dyshuari i parë, mashkull kosovar i caktuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë pune për kohë të pacaktuar, për një periudhë kohe nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërkohë që ka përfituar paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.
“Në periudhën prej vitit 2023 deri në tetor 2025, i dyshuari ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 19,067.69 euro, duke kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa i dyshuari i dytë, gjithashtu mashkull kosovar dhe person zyrtar, nuk ka raportuar mungesën e të dyshuarit në punë pranë autoriteteve kompetente, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore. Policia thekson se kjo veprimtari gjithashtu përbën veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.