Arrestohen edhe dy të dyshuar për vjedhje të njehsorëve të ujit në Vushtrri

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Rreth 1 javë më parë, në Vushtrri u raportua një vjedhje e rëndë, ku sipas të dëmtuarit, persona të dyshuar kanë vjedhur në një objekt ndërtimi, 45 njehsorë uji.

E gjatë ditës së djeshme, policia njoftoi se ka arrestuar një të dyshuar të moshës së mitur për rastin, i cili u ndalua për 24 orë.

Ndërkaq sot, Policia njoftoi se ka arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë për rastin e njëjtë, një i mitur dhe një i moshës madhore.

Sipas njoftimit, thuhet se procesi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit ka rezultuar që sot me datë 18.12.2025, hetuesit policorë të Stacionit policor të Vushtrrisë kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dytë të dyshuar për veprën “vjedhje e rëndë”.

Ndërkaq, u tha se hetuesit kanë identifikuar lokacionin e sendeve të vjedhura me ç’rast janë sekuestruar njehsorët e vjedhur dhe është arrestuar edhe një person i moshës madhore.

“Pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme, ndaj personit të dyshuar të moshës madhore është iniciuar rasti për veprën penale: ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penal’. Me udhëzim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftimin e policisë.

Për sa i përket personit të dyshuar (i moshës se mitur) për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së rëndë, me aktvendim të prokurorit i është caktuara masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Të ngjashme