Arrestohen gjashtë persona nën dyshimin për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga tatimi

Prishtinë | 26 Jan 2018 | 16:03 | Nga

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori i Hetimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Doganën e Kosovës, pas hetimeve intensive të kryera, lidhur me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të ‘kontrabandimit të mallrave’ dhe ‘shmangie nga tatimi’ ka bërë arrestimin e gjashtë personave të dyshuar.

Dy të dyshuar shtetas të Maqedonisë, bënin furnizimin me mallra (metale të çmuara) nga Maqedonia, duke ikur nga pagesa doganore, ndërsa katër të dyshuar shmangeshin nga pagimi i tatimeve të parapara me ligj.

Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, me dt. 25/26.01.2018 në pesë rajone: Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Gjilan, është kryer kontrolli i lokaleve të argjendarive, pronë e të dyshuarve, me qëllim të mbledhjes të provave për veprimtarinë kriminale.

Të dyshuarit e arrestuar janë:
• H. R. lindur me 1987 m/sh/maqedonas
• S. R. lindur me 1982 m/sh/maqedonas
• V. K. lindur me 1979 m/sh/kosovar
• V. H. lindur me 1961 m/sh/k
• B. M. lindur me 1961 m/sh/k
• F. K. lindur me 1988 m/sh/k

Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale:
• 3 kg e 850 gramë stoli ari,
• 5 kg stoli argjendi,
• 3 revole kalibrash të ndryshëm,
• 97 fishekë,
• 1 veturë,
• 3 telefona.

Personat e dyshuar, (dy prej tyre) në bazë të urdhrit të prokurorit dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore, ndërkaq katër janë liruar në procedurë të rregullt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme