Arrestohen hajnat në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi

Prishtinë | 28 Nën 2016 | 20:32 | Nga

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për “vjedhje të rënda”. Grupi kishe për cak edhe shtëpinë e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për “vjedhje të rënda” dhe “vjedhje të veturave”, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet në kërkim policor. E veçanta e këtij aksioni është se në komunikatën e lëshuar për media, përmendet se cak i sulmeve të këtij grupi ishte edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ditë më parë ka konfirmuar se i është vjedhur telefoni i tij.

“Të gjitha gjësendet e sekuestruara janë dëshmi momentale për së paku pesë raste të vjedhjeve të veturave dhe një rasti të vjedhjes së rëndë ku cak ka qenë edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia.

Aty thuhet se duke u bazuar në hetimet policore ky grup dyshohet se është i përbërë nga katër persona, por që numri i tyre mund të jetë edhe më i madh.

“Ky grup, dyshohet të ketë kryer vjedhje të rënda në lagjen Veternik dhe në fshatin Çagllavicë, kryesisht nëpër shtëpi, ku para tyre ka pasur të parkuara vetura të shtrenjta. Të njëjtit vjedhjet i kanë kryer pas mesnate, derisa banoret kanë qenë duke fjetur, me ç’rast ata kanë vjedhur gjësende me vlerë dhe çelësat e veturave dhe me pas në largim e sipër duke i vjedh edhe veturat”, thuhet në komunikatë.

Grupi thuhet se vëzhgohej dhe monitorohej nga policia që nga muaji tetor.

“Të dyshuarit kane qenë të organizuar mirë, dhe kanë kryer aktivitetet kriminale duke filluar nga vjedhja e veturave të cilat i kanë shfrytëzuar për të kryer vjedhje të tjera, duke vjedhur targa të veturave dhe duke ua vendos veturave të vjedhura, për të kryer kështu në vazhdimësi veprat e vjedhjeve të shtëpive dhe veturave. Personat e dyshuar veprimet e tyre gjatë vjedhjeve i kanë kryer duke qenë të maskuar, kanë pas me vete dorëza dhe gjithashtu duke qenë edhe të armatosur”.

Më 27 nëntor, rreth orës 17:25, në rrugën “Dardania” në Fushë-Kosovë është arrestuar i dyshuari M.M. kurse i dyshuari tjetër ka arritur që të arratiset nga vendi i ngjarjes, duke ua drejtuar armën zyrtarëve policorë. “Policia megjithatë ka arritë qe t’ia marr armën. Nga vendi i ngjarjes është konfiskuar pistoleta me numër serik të dëmtuar së bashku me karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9mm, njëri fishek ka qenë në tytë, që ka paraqitur edhe rrezik potencial për jetën e zyrtarëve policorë”.

Po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura, njëra e të dyshuarit që është arratisë e që është i njohur për Policinë. Vetura e të dyshuarit “Renault Laguna” pa targa dhe “VW Pollo”, me targa të keqpërdoruara, janë konfiskuar me qellim të verifikimit dhe ekzaminimit të mëtutjeshëm.

Me datë 27 dhe 28 nëntor, hetuesit rajonalë policorë kanë arritur që të arrestojnë tre të dyshuar dhe të kryejnë edhe dy kontrolle të banesave.

Të arrestuarit janë: M.M. (1991) nga komuna e Malishevës me banim në Vrenjevc, Prishtinë; N.G. (1990) me banim në Prishtinë dhe M.G. (1983) me banim në Prishtinë.

Tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme me aktvendim të lëshuar nga Prokurori Kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, përderisa një i dyshuar mbetet në arrati dhe është në kërkim nga Policia.

Po ashtu nga shtëpitë e kontrolluara në dy lokacione në Fushë-Kosovë dhe Prishtinë, me urdhër të Gjyqtarit te Procedurës Paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda janë konfiskuar gjësendet në vijim: Vinça për vetura; Maska, Dorëza
Çelësa dhe dokumente të veturave që dyshohet të jenë të vjedhura; Çekan, Kaçavida, Rroba për kamuflim, Një pako e dyshuar me narkotikë, Tri libra të veturave BMW X6 një nga to, e cila është vjedhur me vonë dhe është gjetur, Gjashtë fishekë etj.

“Të gjitha këto gjësende të sekuestruara janë dëshmi momentale për së paku pesë raste të vjedhjeve të veturave dhe një rasti të vjedhjes së rëndë ku cak ka qenë edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.

“Gjatë procesit hetimor është arrit që të konfiskohet edhe një veturë Mercedes ngjyrë e zezë me targa të vjedhura, e cila dyshohet se është vjedh nga grupi me datë 18.11.2016 në lagjen Emshir në Prishtinë, ku përveç veturës po ashtu kishte pasur edhe vjedhje në shtëpi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme