Tre shtetas shqiptarë, të kërkuar nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike kanë rënë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj.Kështu, ranë në pranga Florenc Mema 30 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës; Demokrat Çizmja 27 vjeç, banues në Gjepalaj Durrës dhe Luan Bodlli 41 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës.
Komanda Provinciale Karabineri e Bergamos, Itali ka programuar ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Bergamos, Itali, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narotike”, për 16 shtetas shqiptarë, italianë dhe marokenë.
Operacioni është zhvilluar në të njëjtën kohë edhe në Itali, ku si rezultat në Itali janë kapur dhe arrestuar 12 shtetas shqiptarë, italianë e marokenë, si dhe janë ekzekutuar edhe tri masa sigurie, dy prej të cilave “Detyrim paraqitjeje” dhe një “Arrest në shtëpi”.
Ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga FNSH-ja në Durrës, raporton Tch.
Hetimi ka nisur në vitin 2017, pasi dyshohet se ky grup kryente trafikim të lëndëve narkotike nga vende të ndryshme drejt Italisë.
Edhe gjatë këtij operacioni Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë profesionalizmin dhe vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar me partnerët në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.