Kërkojnë thesarin, familja mbretërore italiane gati të hedhë në gjyq qeverinë

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Familja Savoia, e cila deri më 1946 mbretëronte në Itali, i kërkon shtetit italian rikthimin e thesarit të bizhuterive të mbretëreshave Margerita e Elena.

6732 brilantë, 2000 perla të masave të ndryshme, varëse, vathë, spila, stema, diadema, gjerdanë, me një vlerë të pastimueshme, prej vitit 1946, ruhen në kasafortat e Banka Italias.

Ato i përkisnin familjes mbretërore Savoia e cila pas rrëzimit të monarkisë me referendumin e 2 qershorit 1946,  ia dorëzoi Banka Italia-s me motivin “për t’i ruajtur e i pasur në dispozicion të atyre që i gëzojnë të drejtat e këtyre objekteve të cmuara, dhurata të Kurorës Mbretërore.”

Gati 76 vite më pas, pasardhësit e mbretit Umberto i II, princeshat Maria Gabriella, Maria Pia e Maria Beatrice, princi Vittorio Emanuele kërkojnë rikthimin e kësaj pasurie. Për ta “është një thesar që i përket familjes Savoia e që i ishte besuar për t’u ruajtur në bankën qendrore të vendit.”

Sot (26 janar 2022) do të zhvillohet takimi i parë për ndërmjetësimin e kësaj kërkese mes përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë. Kryeministrisë,  Banka Italia-s e avokatëve të familjes Savoia.

Avokati Sergio Orlando ka informuar se zyrtarisht këtë kërkesë e kanë prezantuar më 29 shtator 201. e as 24 orë më pas, Banka Italia e ka refuzuar duke e motivuar se “janë pasuri e shtetit”.

Familja Savoia deklaron se në dokumentacionin e marrjes në dorëzim të kësaj pasurie nga  Banka Italia, e tre ditë pas referendumit, pra më 5 qershor 1946, Mbreti Umberto II ka shprehur qartë se i dorëzon për t’i ruajtur e i vënë në dispozicion të atyre që u takon e drejta e kësaj pasurie, e që sipas familjes janë trashëgimtarët e mbretit të Italisë.

“Ky thesar i përket familjes Savoia e jam e habitur që ne pasardhësit nuk kemi mundësi as t’i shohim nga afër këto pasuri”, ka deklaruar princesha Maria Gabriella.

Këto bizhuteri i përkisnin Mbretereshës Margerita e Savoias e cila më pas ia dhuroj nuses së djalit të saj, Mbretëreshës Elena.

Pas rrëzimit të monarkisë, të gjitha pronat e familjes mbretërore u morën në dorëzim nga shteti e u menaxhuan nga Ministria e Financave e disa prej pallateve mbretërore iu dhuruan institucioneve shtetërore.

Familja Savoia deri më vitin 2002 ka jetuar në azil e iu lejua rikthimin në Itali pas anulimit të një ligji dispozitat e të cilit ndalonin hyrjen e tyre në territorin italian.

Më vitin 2006 kur kryeministri aktual Mario Draghi ishte guvernator i Banka Italia, ai pranoi kërkesën e rajonit të Piemontes, që është dhe rezidenca e familjes mbretërore, për të ekspozuar bizhuteritë e familjes Savoia siç ndodh me familjen mbretërore angleze, e prej të cilave ka një hyrje fitimesh prej miliona stërlina çdo vit.

Avokatët e familjes Savoia shpresojnë të gjejnë ndërmjetësimin e duhur institucional për kërkesën e tyre, ndryshe janë të detyruar të hedhin në gjyq Kryeministrinë, Ministrinë e Financave e Banka Italian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme