Arrestohen pesë veta për sulmin ndaj Konsullatës Turke

Prishtinë | 28 Nën 2016 | 15:03 | Nga

Pesë persona janë arrestuar në Prizren për sulmin me shishe molotovi dhe gurë ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren.

Të pesë të arrestuarit kanë pranuar veprën në prani të avokatit mbrojtës, ka thënë konfirmuar kryeprokurori i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

Këta persona, në dëshminë e parë që kanë dhënë para organeve kompetente, sipas kryeprokurorit Hoxha, kishin arsyetuar veprimin e tyre me euforinë e festimit të Ditës së Flamurit kombëtar shqiptar, nën tingujt e muzikës folklorike.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka shpjeguar se ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

“Rreth orës 4 të mëngjesit, me një gaz molotovi dhe gurë, disa persona kanë gjuajtur ndërtesën. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe u kemi dhënë udhëzime edhe policisë si të veprojnë tutje”.

Më pastaj, ka nënvizuar ai, janë ndaluar pesë të dyshuar, të cilët e kanë pranuar kryerjen e kësaj vepre. “Ata e kanë pranuar veprën në prani të avokatit, janë në ndalim dhe hetimet vazhdojnë”, ka Hoxha.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se njësitet e forensikës kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, duke u bazuar në dëshmi dhe video incizime relevante për procedim sa më profesional të rastit.

“Policia e Kosovës, respektivisht hetuesitë rajonalë policorë, pas një hetimi të shpejtë dhe profesional, duke u bazuar edhe në analizimin e kamerave të sigurisë në terren kanë arritur që ta identifikojnë automjetin e dyshuar të involvuar në rast (tipi dhe targat e automjetit të njohura për Policinë), dhe të njëjtin e kanë ndaluar në rrugën ‘Edit Durham’ në Prizren”.

Gjatë kontrollit në automjet janë identifikuar tre personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast. Policia ka konfiskuar për ekzaminim edhe automjetin e dyshuar si dhe në funksion të mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive tjera janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme, me ç’rast për në polici janë shoqëruar edhe dy persona tjerë të dyshuar.

Pesë persona të dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kompetent të njëjtëve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

“Sulmi ka synim të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe miqësinë me Turqinë”

Kundër këtij akti kanë reaguar shpejt presidenti dhe Qeveria e Kosovës, marrë parasysh se Turqia në Kosovë mbetet një prej vendeve që është shumë e pranishme, që nga investimet ekonomike e deri te infrastruktura, arsimi e shëndetësia.

Presidenti Hashim Thaçi ka dënuar sulmin dhe ka uruar Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe kapjen e të dyshuarve.

“E dënoj ashpër sulmin kundër Konsullatës turke në Prizren”, është shprehur Thaçi.

Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës turke në Prizren dhe ka kërkuar që të zbardhen motivet e këtij akti.

“Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla të shëmtuara, në radhë të parë, kanë për synim që të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe të lëndojnë miqësinë e saj me shtetet partnere”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin plotësisht motivet, të vënë kryesit e saj para drejtësisë, si dhe të ndërmarrin masa që akte të tilla të mos përsëriten më.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren. Veseli konsideron se akte të tilla të shëmtuara nuk i kontribuojnë bashkëjetesës së shkëlqyer midis komunitetit shqiptar dhe atij turk në këtë qytet.

Po ashtu, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e ka dënuar dhe cilësuar si akt vandal sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren.

“Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka komunikuar me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar, që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrëdhënieve miqësore me Turqinë”, vijon komunikata.

Qeveria dhe Ministria e Jashtme kanë shprehur përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit dhe raporteve miqësore me Republikën e Turqisë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme