Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë zyrtarë policorë, të dyshuar për përdorim të forcës së tyre ndaj disa qytetarëve, gjatë një incidenti që kishte ndodhur korrikun e vitit të kaluar në Prizren.
Sipas IPK-së lidhur me këtë rast janë duke u marrë dëshmi të mjaftueshme, përfshirë edhe incizimet që janë publikuar këtyre ditëve në media.
Ndërkaq në pranga të policisë ka përfunduar një rreshter dhe katër zyrtarë policorë.
Poashtu atyre u është caktuar edhe masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra zyrtare.
Njoftimi i plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Prizren.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit.
Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative).
Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.