Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person në Ferizaj, i dyshuari për dy raste grabitje me armë dhe një rast tentim grabitje.
Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se, hetuesit policor të sektorit rajonal të hetimeve- Ferizaj, kanë arritur që të identifikojnë personin E.M. si i dyshuar për dy raste të grabitjeve me armë dhe rasti i tretë i mbetur në tentativë.
“I dyshuari, E.M. (m/sh/k 19 vjeç) në rastin e parë më datën 18.12.2019, rreth orës 01:30 minuta,në pompën e benzinës, e cila gjendet në dalje të Ferizajt në drejtim për Shtime, i maskuar dhe i armatosur me armë të shkurtë-pistoletë, ka hy në lokalet e punës dhe nga punëtori nën kërcënimin e armës ka grabitur 1.505 euro dhe është larguar në drejtim të panjohur. Po në të njëjtin lokacion, më datë 25.12.2019 rreth orës 02:15 i dyshuari ka përsëritur veprën e njëjtë duke grabitur nga punëtori 350 euro, ndërsa rasti i tretë me datë 31.12.2019 ka mbetur në tentativë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se lidhur me këto raste, hetuesit policorë kanë siguruar prova të mjaftueshme materiale të cilat i bashkëngjiten lëndës.
Pas intervistimit , prokurori i Shtetit i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.