Policia e Kosovës ka njoftuar se 35 vjeçari i dyshuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve të shtunën në Mitrovicë është arrestuar.
Sipas policisë i vrasi në këtë ngjarje është 27 vjeç
Njoftimi i plotë:
Sot më, 17 prill 2021 rreth orës 11:30, policia në Mitrovicë, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Adem Voca’ përkatësisht në Tregun e gjelbër’ në Mitrovicën e Jugut. Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.
Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë katër persona civil, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar, tre persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima V. F., 27 vjeçar, si pasojë e plagëve kishte vdekur, ndërsa dy të plagosurit tjerë vazhdojnë të jenë në tretman mjekësor.
Personi i dyshuar i cili dyshohet të ketë shtënë me armë është arrestuar, të njëjtit po ashtu i është ofruar tretmani mjekësor.
Nga hetimet e zhvilluara deri me tani, njeri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht. Ndërsa në vendin e ngjarjes pas ekzaminimeve të kryera, hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë (pistoletë), tri (3) gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Ndaj te dyshuarit Sh. A., 35 vjeçar, me vendim te prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale: vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.