Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar një person nën dyshimin se ka kanosur vëllanë pasi ishin fjalosur rreth telekomandës së televizorit dhe kanalit të tyre të preferuar.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën në Vranicë të Suharekës, ku pas fjalosjes i dyshuari kishte marrë revolen dhe kishte shtënë me të në oborr.
“Me datën 11.07.2023, në ora 23:25, në fshatin Vranic, KK Suharekë, i dyshuari së bashku me viktimën (vëllain e tij) në prani të dëshmitarit (babait të tyre) ishin fjalosur rreth telekomandës së televizorit dhe kanalit të tyre të preferuar, ku pas kësaj i dyshuari ngritët dhe shkon në dhomën e tij, merr revolen, për të cilën posedon leje, dhe del në oborr afërisht rreth 10 m. larg dhe gjuan një herë në drejtim të qiellit. Me këtë veprim viktima është ndier i kanosur nga i dyshuari”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin.
“Në vend ngjarje janë konfiskuar Revolja, prodhim Arex, kal.9×19 mm, e cila posedon leje në emrin e të dyshuarit, një gëzhojë, një plumb dhe dy karikator të zbrazët të kësaj revole. Është kontaktuar Prokurori kujdestar i Shtetit, me urdhër të tij i dyshuari ndalet në mbajtje për 48 orë”, thuhet më tej. /