Arrestohet kryetari i Stambollit, rivali kryesor politik i Erdoganit

Prishtinë | 19 Mar 2025 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet turke të mërkurën e ndaluan rivalin kryesor politik të presidentit Rexhep Erdogan, kryetarin e Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën disa akuza, përfshirë korrupsionin dhe ndihmën për një grup terrorist, në atë që partia kryesore opozitare e quajti “përpjekje për puç kundër presidentit tonë të ardhshëm”.

Imamoglu nga Partia Popullore Republikane ballafaqohet me dy hetime të ndara që gjithashtu përfshijnë akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet e manipulim me tenderë, raporton agjencia e lajmeve“Reuters”.

Pritej që partia e Imamoglut brenda ditësh ta emëronte atë si rival të Erdoganit, i cili e ka udhëhequr Turqinë për më shumë se dy dekada. Kryetari i Stambollit shihet gjerësisht si konkurrent në zgjedhjet e ardhshme.

Në një video të publikuar në rrjetin X, Imamoglu tha se nuk do të dorëzohet dhe se do të vazhdojë të qëndrojë vertikalisht përballë presionit.

Sipas një deklarate të zyrës së prokurorit të Stambollit rreth hetimit të parë, gjithsej 100 persona, përfshirë gazetarë e biznesmenë, dyshohen se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në lidhje me tenderë të caktuar që janë dhuruar nga komuna.

Kjo zyrë tha se në hetimin e dytë, Imamoglu dhe gjashtë të tjerë akuzohen për ndihmë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë konsiderohet organizatë terroriste.

Arrestimi i Imamoglut erdhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit ia anuloi diplomën, vendim që, nëse mbahet në fuqi, do t’ia pamundësonte kandidimin në zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen më 2028, por ato duhet të organizohen më herët, nëse Erdogani dëshiron që të garojë përsëri.

Zyra e prokurorit të Stambollit vendosi që t’i ndalonte të gjitha tubimet dhe protestat në qytet për katër ditë.

Të ngjashme