Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është arrestuar një person, i dyshuar për lëndim të rëndë trupor.
Policia ka njoftuar se 23-vjeçari, N.P, ishte sulmuar nga persona të panjohur në fshatin Zebincë-Novobërdë, dhe po atë natë kishte pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Gjilanit, për rastin ishte njoftuar prokurorja kujdestare dhe menjëherë kishin filluar hetimet policore për të identifikuar të dyshuarit.
“Pas një pune intensive hetimore, fillimisht nga zyrtarë policorë të SP Novobërdë dhe më pas nga njësia e Hetimeve të Përgjithshme–Gjilan, bazuar në deklarimin e viktimës se ai ishte sulmuar derisa ishte në rrugë, kur persona për të panjohur (dy kishin dalë nga vetura dhe një i tretë kishte qëndruar në veturë), kishin dalë nga vetura dhe e kishin sulmuar. Bazuar, në hetimet policore, lind dyshimi se pikënisje e rastit mund të ishte një ngjarje e më hershme (disa javë më herët) e ndodhur në një lokal në fshatin Strazhë, konkretisht një mosmarrëveshje në mes viktimës dhe të dyshuarit-ve”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Pas punës hetimore, policia ka njoftuar se lidhur me veturën e cila kishte qenë e përfshirë në rast, janë identifikuar tabelat e veturës dhe pronari i saj.
Ai është ftuar në intervistë, i përballur me të gjeturat policore ka pranuar se ka qenë i përfshirë në rast, por se nuk i njeh personat tjerë të përfshirë në ngjarje. Në konsultim me prokurorin, me aktvendim të tij, i dyshuari ndalet për 48 orë në mbajtje. Hetuesit policorë janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast.