Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në një rast për trafikim me qenie njerëzore.
Sipas komunikatës, ky arrestim është bërë pas njoftimit për një viktimë të abuzuar të trafikimit.
“Me datën 14 të këtij muaji, Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori Qendror i Hetimeve të Drejtorisë së Trafikimit me Qenie Njerëzore -DHTQNJ, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve Kibernetike ka zhvilluar hetime intensive lidhur me rastin e identifikuar “Fotografime dhe incizime të tjera të paautorizuara” në kundërshtim me ligjin Trafikim me Njerëz ,neni 171 i KPRK-së.
Policia e Kosovës është njoftuar për një viktimë të abuzuar të trafikimit dhe menjëherë përmes planifikimeve operacionale dhe hetimore, ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë një person të dyshuar të përfshirë në këtë rast.
Personi i dyshuar tanimë i arrestuar është K. A. mashkull, kosovar shqiptar, (1998).
Ndërsa viktima e rastit është trajtuar në baze të procedurave standarde që parashihen për Viktimat e Trafikimit .
Njësitet policore në cilësi të provës materiale për këtë rast kanë konfiskuar përkohësisht një telefon, përderisa provat tjera të siguruara gjatë hetimit do t’i dërgohen prokurorit për procedim të mëtutjeshëm.
Lidhur me rastin hetimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorin Themelore në Prishtinë Departamenti për të mitur, ku i dyshuari i lartëcekur me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.
Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante në të gjitha rastet, duke përfshire ndaj rasteve të kësaj natyre, do ti ndërmarr veprimet e saja policore konform autorizimeve ligjore që ka”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.