Policia e Kosovës, konkretisht sektori i hetimeve pranë Stacionit Policor në Deçan, më 2 mars 2020, gjatë punës hetimore në rastin ‘dhunë në familje’, ka arritur të zbulojë se i dyshuari A. Sh. i lindur në vitin 1955 ka në posedim një pushkë automatike AK-47.
Pas këtyre informacioneve në konsultim me prokurorin e shtetit dhe me pëlqimin e të dyshuarit është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur dhe janë sekuestruar: një pushkë automatike M47; 2 karikatorë të pushkës automatike dhe 15 fishekë cal.7.62×39.
I dyshuari është arrestuar dhe është intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor Deçan, me ç’rast është iniciuar rasti ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ dhe pas këtyre veprimeve i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.