Nga hetuesit policor të stacionit veriu në Prishtinë sot është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të grabitjes së armatosur.
Rasti ka ndodhur me datën 26.11.2016 në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, saktësisht në një pikë karburanti, ku nën kërcënimin e armës (revole), viktimës 26 vjeç, i janë grabitur para të gatshme rreth 300 euro dhe një telefon i tipit Samsung.
Me këtë rast, që nga dita e raportimit ka qenë duke u marrë njësiti i hetimeve të stacionit policor veriu në Prishtinë, njësit ky që sot ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin:
L. I, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Aktualisht policia e mbështetur edhe nga prokurori i shtetit po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit e tjerë të mundshëm si dhe vendndodhjen e tyre.
Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike , andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.