Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prizren, ka realizuar dje një operacion policor, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren, me ç’rast është bërë arrestimi i një personi të dyshuar, transmeton Ekonomia Online.
Operacioni policor është bazuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave, psikotrope dhe analoge’, ku Policia e Kosovës ka realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit të arrestuar.
Siç njofton policia, i dyshuari i arrestuar në këtë rast është L. Gj. 32-vjeçar
Gjatë kontrollit në lokacionin e caktuar janë gjetur dhe janë sekuestruar: nëntë (9) paketime të mbështjella me qese plastike me substancë dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 3 kg e 670 gramë, një revole pa karikator.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në ndalim policor në stacionin policor në Prizren.