Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi i njëjti ka mashtruar duke u prezantuar si zyrtar policor.
Përmes një komunikate Policia ka njoftuar se i dyshuari i ka mashtruar palët duke u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës (hetues në krime ekonomike), me qellim të përfitimit material.
“Ai ju ka thëne palëve ankuese se është duke hetuar disa lëndë të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por që ai ishte në gjendje t’i rregullonte këto raste nëse pala ankuese pranonte t’i jepte ryshfet në vlerë prej 30,000 €uro (tridhjetë mijë euro)”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Sot me datë 24.05.2021, Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK) kanë arrestuar në flagrancë të dyshuarin me iniciale (Xh.P) nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar “ specifikuar sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.
I dyshuari në vazhdimësi i ka mashtruar palët duke u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës (hetues në krime ekonomike), me qellim të përfitimit material.
Ai ju ka thëne palëve ankuese se është duke hetuar disa lëndë të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por që ai ishte në gjendje ti rregullonte këto raste nëse pala ankuese pranonte ti jepte ryshfet në vlerë prej 30,000 €uro (tridhjetë mijë euro).
Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve relevante sot me datë 24.05.2021 ka ndërmarr një sërë veprimesh profesionale duke zbatuar edhe urdhëresën e gjykatës kompetente, ku është bërë simulimi i veprës penale, me që rast është kryer dhënia e mjeteve monetare të dyshuarit në vlerë prej 11,000 €uro (njëmbëdhjetë mijë euro), ndërsa i dyshuari ka kërkuar edhe mjete tjera që ti pranojë gjatë dy ditëve në vijim.
I dyshuari është intervistuar nga Policia dhe i njëjti me urdhër të prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.