Partia Socialdemokrate (PSD) ka njoftuar se sekretari i saj Organizativ, Nol Nushi, është ndalur sot rreth orës 16:00 nga policia, derisa ishte ndalur me veturë në semafor.
“Policia nuk ka prezantuar asnjë urdhër arrest, duke shkelur rregullat dhe ligjin në fuqi. Ata kanë arrestuar Nolin pa asnjë mbulesë legjitime, legale dhe e kanë dërguar në stacionin policor- jug”, thuhet në një njoftim dërguar medieve nga PSD-ja.
Kjo mënyrë e arrestimit pa prezantimin e fletarrestit i çel rrugë arbitraritetit, thekson kjo parti. “Reagimi ynë duhet të jetë i orientuar drejt kësaj mënyre funksionimi që lë vend për keqpërdorim nga pushteti, i forcave policore, në momente kur i duhet”.
“Nëse i nënshtrohemi arbitrariteti sot, nesër përndjekja politike do të përligjet me veprime të tilla”, thuhet në reagimin e PSD-së.
PSD-ja ka saktësuar se Nol Nushi është liruar tashmë, por i është ndaluar letërnjoftimi.
“Ky veprim policor nuk ka asnjë shpjegim ligjor dhe si i tillë është tejet i dyshimtë. Prandaj duhet që ndaj policëve dhe vijës komanduese të hapen hetime urgjente”.