Me 8 gusht 2019, ne – organizatat e shoqërisë civile – kemi shprehur shqetësimin e thellë ndaj tentativës së Ministrisë së Integrimit Evropian për të politizuar shërbimin civil duke refuzuar punësimin e bursistëve nga skema YoungCellScheme (YCS) të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.
Në këtë drejtim, kemi kërkuar nga Ministrja në dorëheqje znj. Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së. Po ashtu, kemi bërë thirrje ish-Kryeministrit, z. Ramush Haradinaj të ndërhy në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian.
Me 19 gusht 2019, kemi kërkuar nga institucionet respektive shtetërore të ekzekutojnë kompetencat e veta dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershëm me qëllim të pezullimit dhe anulimit të konkurseve brenda MIE-së, si dhe të sigurojnë punësimin e bursistëve YCS. Njëkohësisht, ju kemi drejtuar përfaqësive të vendeve perëndimorë në Kosovë për të asistuar institucionet e Kosovës në kthimin e ligjshmërisë brenda shërbimit civil.
Në kuadër të zhvillimeve të fundit, e vlerësojmë lartë punësimin e 6 bursistëve në Ministrinë e Integrimit Evropian dhe anulimin e konkurseve publike. Ne – organizatat e shoqërisë civile – shprehim mirënjohje të thellë për angazhimin e partnerëve tonë ndërkombëtarë drejt ruajtjes së bursës YCS, dhe në këtë drejtim në veçanti dëshirojmë të shprehim falënderim ndaj Zyrës së BE-së në Kosovës dhe Ambasadës Britanike.
Ne – organizatat e shoqërisë civile – do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet sa i përket bursës YCS dhe punësimin e bursistëve në institucionet shtetërore me qëllim të krijimit të një administrate me integritet, të pavarur dhe profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.
Mbështetur nga:
Demokraci për Zhvillim – D4D
Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti Columbus
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK
Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS
Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu!