Temperaturat kanë filluar të ngriten në Evropë, megjithatë, i ftohti siberian ka pasur pasoja të mëdha, ku llogaritet se në kontinentin e vjetër janë regjistruar 50 viktima.
Gjithashtu ka pasur vështirësi në komunikacionin rrugor, hekurudhor dhe atë ajror, përcjell albinfo.ch.
Ashtuquajtur “Bisha nga Lindja” nga media britanike, “Ariu i Siberisë” në Holandë apo “Moskë-Paris” në Francë, kjo valë të ftohti ka shkaktuar të paktën 50 të vdekur që prej të premtes së kaluar.
Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në Poloni, gjashtë në Republikën Çeke, pesë në Lituani, katër në Francë dhe në Sllovaki, dy në Itali, në Rumani, Serbi dhe në Slloveni, një në Holandë, në Angli, në Spanjë dhe në Vendet Baske.
Në Estoni janë regjistruar të paktën shtatë të vdekur gjatë muajit shkurt, përcjell albinfo.ch.
Shumë shkolla janë mbyllur në Britaninë e Madhe, në Irlandë, në veri të Spanjës dhe në Portugali, në Bosnje-Hercegovinë, Itali dhe në Kosovë, madje dhe në Shqipëri ku shumë fshatra janë izoluar nga dëbora.