Me 17 fitore radhazi, 12 prej të cilave në kampionat, Manchester City është shkëputur në krye të renditjes së Premier League dhe ka vrarë garën për titullin kampion, teksa dilema e vetme tani është kush do të ndalë ecurinë pozitive të “citizens”.
Pas sfidave ndaj Tottenhamit e Evertonit, të besuarit e Pep Guardiolës do të udhëtojnë sërish drejt Londrës, këtë herë për t’u përballur me Arsenalin, ndoshta i vetmi kundërshtar që në letër mund t’u hapë punë.
“Topçinjtë” drejtohen nga Mikel Arteta, ish ndihmës i Guardiolës te “citizens”, i cili i njeh mirë sekretet e mësuesit të tij, por edhe të futbollistëve kundërshtarë, ndaj do të provojë t’u ndalë vrullin sot.
Për më tepër, Arsenali ka mbetur shumë mbrapa në renditje dhe është e dënuar të fitojë sa më shumë ndeshje, për të siguruar të paktën një vend në zonën europiane të renditjes, pasi në të kundërt sezoni mund të quhej i dështuar.