Arsenali është mposhtur 3:0 nga Manchester City në rikthimin e Premierligës, për fajin e David Luiz, qendërmbrojtësit brazilian që i bëri dy gabime trashanike brenda 25 minutave lojë.
I futur në lojë në minutën e 24-të pas lëndimit të Pablo Mari, Luiz ia fali golin Raheem Sterlingut duke ia pasur një top në zonë, me anglezin që shënoi për epërsinë e parë të Man City.
Katër minuta brenda pjesës së dytë, braziliani shkaktoi penallti duke e rrëzuar në zonë Riyad Mahrezin dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Kevin de Bruyne shënoi nga penalltia për 2:0, para se Phil Foden, i ardhur nga banka rezervë, të shënonte për 3:0 në minutën e 91-të.
Kjo fitore ia përforcon pozitën në top katërshe skuadrës së Pep Guardiolës dhe nënkupton se Liverpooli, që i ka 22 pikë më shumë se City, nuk do të jetë në gjendje ta sigurojë titullin në ndeshjen e së dielës kundër rivalit Everton.
Ndërkohë, për Arsenalit kjo humbje është goditje e rëndë në përpjekje për ta arritur kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi tani ngel tetë pikë prapa vendit të katërt. Chelsea, edhe nëntë ndeshje deri në fund.
Granit Xhaka u lëndua rëndë në këtë takim në fillim të pjesës së parë dhe u bart jashtë fushës me barelë.
Duket se mesfushori shqiptar e ka dëmtuar nyjën e këmbës./ge