Shkodran Mustafi i është bashkuar skuadrës nga Bundesliga, Schalke, duke u larguar kështu nga Arsenali, skuadër ku ka luajtur nga viti 2016 dhe ka regjistruar 151 paraqitje.
Përmes një komunikate për shtyp, Topçinjtë e kanë falënderuar mbrojtësin shqiptar për kontributin dhe rolin e tij, në veçanti për dy Kupat FA të fituara.
Drejtori teknik, Edu dhe trajneri Mikel Arteta i kanë uruar sukses në karrierë dhe gjitha të mirat familjes së 28-vjeçarit.
“Musti ka qenë një lojtar kyç për ne për një kohë të gjatë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në sezonit tim të parë si trajner dhe dua ta falënderoj për profesionalizmin dhe gatishmërinë e përhershme sa herë që është thirrur”, ka thënë Arteta duke i uruar sukses te Schalke.
Arsenali e ka falënderuar Shkodranin edhe për angazhimin e tij jashtë fushës për dhurimin e dhjetëra mijëra racioneve ushqimore për qytetarët në krizë gjatë periudhës së pandemisë.
“Të gjithë te Arsenali i e falënderojnë Mustin për kontributin e tij në klub. I urojmë atij dhe familjes gjitha të mirat në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e klubit.