Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se klubi i tij duhet të jetë realist dhe ta pranojë se ekziston një dallim shumë i madh mes skuadrës së tyre dhe dy klubeve që e dominuan Premierligën sezonin e kaluar, duke hequr dorë kështu nga lufta për titull ende pa nisur sezoni i ri.
Arsenali përfundoi në pozitën e pestë në ligën elitare angleze sezonin e kaluar, një pikë prapa vendin të katërt, Tottenhamit, dhe si pasojë dështoi ta sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Po ashtu, “Topçinjtë” dështuan edhe ndaj Chelseat në finale të Ligës së Evropës, pasi të kaltrit fituan 4:1 ndaj rivalëve londinezë në Baku.
Kështu, Arsenali do të luajë në Ligën e Evropës edhe sezonin e ri, apo garën dytësore evropiane.
Synimi i Arsenalit për këtë sezon do të jetë ta zërë një vend në top katërshe dhe jo t’i sfidojë gjigantët Liverpool dhe Manchester City për titull.
Emery thotë se kjo do të ndodhë për shkak të dallimit tejet të madh mes skuadrës së tij dhe dy skuadrave më të mira në ligë.
“Ne duhet të jemi realist sepse dallimi mes nesh, Liverpoolit dhe Manchester City, është shumë i madh. Ne duam ta përmirësojmë këtë dhe duam të jemi më garues. Ama na duhet të përmirësohemi në mbrojtje por pa u dobësuar në sulm”, shtoi ai.
“Të jemi në top katërshe do të jetë prapë vështirë sepse Tottenhami po rritet. Chelsea po ashtu i ka mbajtur futbollistët dhe paraqitjet e mira”, theksoi ai.