Arsenali këshillohet të mos e shesë Ozilin

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Legjenda e Arsenalit, Ian Wright, beson se klubi do ta bënte një gabim të madh nëse pranon ta shesë mesfushorin Mesut Ozil gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që thotë se gjermani me origjinë turke është ende lojtari me më së shumti ndikim.

Mesfushori gjerman me origjinë turke nuk ka arritur t’i bindë të gjithë në “Emirates” gjatë karrierës gjashtëvjeçare të tij në Londër.

Përkundër momenteve brilante, atij i ka munguar vazhdimësia dhe kjo ka bërë që të hidhen dyshime mbi kontributin dhe vlerën e tij për skuadrën.

Kontrata e tij e jashtëzakonshme me Arsenalin, që është fajësuar për largimin e disa lojtarëve të tjerë, ka ngjallur debat edhe për vlerën e Ozilit për Arsenalin dhe shumën të cilën klubi po e investon te ai.

Spekulimet për të ardhmen e tij janë shtuar tani që afati kalimtar i verës është hapur në Angli dhe Goal.com ka zbuluar se 30-vjeçari mund të shitet këtë verë nëse ndonjë klubi i bën ofertë mjaftueshëm të mirë Arsenalit.

Wright beson se “Topçinjtë” do të gabonin nëse e shesin performuesin e tyre më të mirë dhe Ozili mbetet lojtari me më së shumti gjasa për të qenë vendimtar në skuadrën e Unai Emeryt.

“Unë nuk jam pro shitjes së lojtarëve si Mesut Ozil sepse Mesut Ozili është lloji i lojtarit të cilin e do në skuadër. Njerëzit mund të thonë çfarëdo që të duan – ta akuzojnë atë se nuk luajti mirë në këtë apo atë ndeshje”, ka thënë Wright.

“Fakti është se ai është mjaftueshëm i mirë për të performuar në çdo ndeshje. Numri i rasteve që Mesut Ozili i krijon ndeshje pas ndeshjeje, ai është në top pesëshe të ligave evropiane”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme