Gjykata Themelore në Prizren, ka publikuar aktgjykimin e plotë lirues, në rastin e ish-ministrit Kujtim Gashi, i cili akuzohej për korrupsion në kohën sa ishte Kryesues i Asamblesë në Prizren.
Me 23 dhjetor të vitit të kaluar gjyqtarja Raima Elezi, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Gashit, me arsyetimin se nuk ka ekzistuar dashja në veprimet e tij.
Ndërsa në aktgjykimin të cilin ka arritur ta siguroi “Betimi për Drejtësi”, në arsyetimin e plotë thuhet se Gjykata ka vlerësuar të gjitha provat e administruara lidhur me elementet esenciale të veprës penale për të cilën ngarkohet i akuzuari dhe ka vërtetuar se asnjë provë të administruar nuk shpie në konkluzion se i akuzuari me veprimet e veta ka realizuar tiparet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Tutje në aktgjykim thuhet se në rastin konkret, duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat e kësaj çështjeje penale, gjykata nxjerrë përfundim se i akuzuari nuk ka pasur qëllimin që për vete apo për tjetrin të përfitojë dobi të kundërligjshme pasurore.
Më tej në aktghykim thuhet se i njëjti nuk kishte qëllimin e përvetësimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për tjetrin, në këtë rast për operatorët, po qëllimi i tij ishte të promovonte transparencë të organeve legjislative, ekzekutive dhe administrative të Komunës, duke rritur pjesëmarrjen e opinionit në marrjen e vendimeve në nivelin lokal dhe duke lehtësuar çasjen publike në dokumentet zyrtare të Komunës, ai ka lidhur kontratat me televizionet lokale.
Në aktgjykim po ashtu, thuhet se qëllimi i tij vërtetohet edhe me rekomandimet e nënshkruara nga ai si kryesuesi i asamblesë Komunale, me të cilat rekomandohet Drejtoria për Financa e Komunës së Prizrenit që të procedojë pagesat e faturave të televizioneve dhe radiove lokale, të cilat bëjnë transmetimin dhe ritransmetimin e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ku transmetimet janë bërë me qëllim të informimit të qytetarëve për punën e Organit më të lartë vendimmarrës- Kuvendit dhe me qëllim të zbatimit të akteve ligjore përkatëse të cilat obligojnë Komunën për një punë transparente dhe se pagesat janë bërë sipas kontratave të cilat janë lidhur në mes të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe mediave, sipas çmimeve të caktuara si në rekomandime.
Gjykata thotë se i ka fal besimin deklaratave të dëshmitarit Isa osmankaj dhe ekspertit finsnciar sepse janë të qarta, të bindshme dhe të logjikshme dhe kanë mbështetje në provat materale.
Në aktgjykim thuhet se prandaj, në bazë të gjitha provave gjykata konsideron se tek i akuzuari nuk ka ekzistuar dashja e drejtpërdrejtë e cila përfshinë edhe dijeninë e tij se po e shfrytëzon pozitën e tij zyrtare, po i tejkalon kompetencat e tij dhe faktin se me këtë ai përfiton dobi pasurore për tjetrin, në këtë rast për televizionet lokale, duke pasur parasysh se vepra penale në fjalë mund të kryhet vetëm me dashje të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, gjykata konsideron se qëllimi i tij ka qenë vetëm zbatimi i Udhezimit Administrativ për transparencë të seancave të Kuvendit Komunal për qytetarë. Përveç kësaj Prokurori i shtetit me asnjë provë nuk ka dëshmuar se i akuzuari me veprimet e veta ka përfituar dobi pasurore për tjetrin, e as sa do të ishte lartësia e atij përfitimi, por vetëm ka konstatuar se në emër të pagesave për televizionet lokale janë paguar shumat si në dispozitiv e jo sa ka qenë përfitimi për personin tjetër.
Në fund të aktgjykimit thuhet se nga të cekurat më lartë gjykata nxjerr konkluzion se në veprimet e të akuzuarit nuk formohen elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 17 dhjetor 2019, Kujtim Gashi akuzohej se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Kujtim Gashi, gjatë 2015-tës e deri në tetor 2016, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk i kishte përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, “TV Besa” dhe “TV Opinion”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren.
Sipas aktakuzës, Gashi, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Besa”, në vlerë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.
Në aktakuzë thuhet se ai po ashtu, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Opinion”, në vlerë prej 400 euro, për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, ku pagesat, sipas aktakuzës, janë transferuar gjatë viteve 2015-2016, në shumën prej 6700 euro.
Sipas aktit akuzues, vlera e përgjithshme që Gashi ka autorizuar për këto dy televizione është 8450 euro.
Ndryshe, Kujtim Gashi ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë Haradinaj.
Kurse, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019, Gashi është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).