Artan Behrami: Kurti po e zhvendos zyrën e strukturave paralele të Serbisë nga Nishi në veri të Mitrovicës

Prishtinë | 14 Mar 2026 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me veprimet e fundit po legjitimon strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.

Në një reagim publik, Behrami ka thënë se Kurti fillimisht nuk i kundërshtoi vendimet e ndërkombëtarëve lidhur me dokumentet e strukturave paralele, ndërsa tani, sipas tij, po i legalizon ato.

“Njëherë Bashkimi Evropian i pranoi dokumentet e strukturave paralele. Atëherë Albini nuk i kontestoi. Pas negociatave sekrete, sot i legalizoi dokumentet dhe strukturat paralele dhe kriminale të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Behrami.

Sipas tij, nga moskundërshtimi është kaluar në pranimin dhe legjitimimin e plotë të këtyre strukturave.

“Nga moskundërshtimi kemi kaluar te pranimi, legjitimimi dhe legalizimi i plotë i tyre”, ka theksuar ai.

Behrami ka shtuar se hapi i radhës mund të jetë zhvendosja e selisë që lëshon dokumentet e këtyre strukturave nga Nish në veriun e Kosovës.

“Hapi i radhës do të jetë që selia që lëshon dokumentet e strukturave paralele të Serbisë mos të jetë më Nishi, por veriu i Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai ka pretenduar se kjo çështje është pranuar nga Kurti në procesin e dialogut të zhvilluar në Brussels dhe Ohrid.

Sepse, këtë e ka pranuar edhe në Bruksel, edhe në Ohër, edhe sot në Prishtinë”, ka shkruar Behrami.

Të ngjashme