Artan Draçini, piktori e grafisti nga Shkodra, do të hapë të premten në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ekspozitën vetjake të titulluar “E shkuara: e ardhmja e së tashmes”.
Ekspozita ka gjuhën e Simbolikës së të shkuarës, që vjen si një echo këmbane në të tashmen, për të pasqyruar faktin si një keqkuptim normal dhe ironik në të ardhmen. Një proces i tillë riciklimi i ndodhive imagjinative e krijon një pjesëz Art të qëndrueshëm në sistemin e vlerave të artit modern shqiptar të shekullit që jetojmë.
Kuratorja e ekspozitës Suzana Varvarica Kuka e paraqet artistin Draçini e mbështetur në konceptin e saj se: “Artisti është faktori themeltar i imazheve, të cilat, fillimisht, i lind si ndjesi vetjake e të fshehta. Ai i ruan në burimin racional e më pas i shpërthen emocionalisht, ku bota e tij e brendshme shkapetet në të gjitha muret imagjinative. Aty, ku ndodhemi të gjithë, tek ekspozimi i tyre”.
Në ekspozitë do të paraqiten 27 punime, të cilat janë në fletë grafike që jetojnë si një grupim, si dhe në pikturë, e cila ka një gjuhë tonale – grafike, tepër emocionale dhe konvenguese me faktin historik dhe emocional.
Kjo ekspozitë shënon edhe një aktivitet të kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ekspozita do të qëndroje e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës