Artan Qerkini: Potencialisht mund të ketë edhe arrestime të tjera nga Specialja

Prishtinë | 24 Sht 2020 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Speciale ka filluar me procesin e arrestimeve të personave të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Kjo u bë e ditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila ka konfirmuar se është arrestuar ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa.

Avokati Artan Qerkini në një prononcim për klankosova.tv ka thënë se nën plotësimin e kushteve ligjore, potencialisht mund të ketë edhe arrestime të tjera nga Specialja.

“Për t’u kryer një arrestim duhet plotësuar kushtet ligjore e ato janë: ekzistimi i dyshimit të bazuar se është kryer një vepër penale nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duhet të ekzistojë rreziku i arratisjes së atij personi apo rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe prova të tjera. Të gjitha këto kushte duhet plotësuar në mënyrë që një arrestim të jetë i ligjshëm”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në bazë të ligjit ka mundësi që krahas konfirmimit të aktakuzës të lëshojë edhe urdhër-arrest. Ndërsa vleftësimin e këtij arrestimi duhet ta bëjë gjykata në afat prej 48 orëve nga momenti kur i arrestuari paraqitet në gjykatë”.

“Nën plotësimin e kushteve ligjore, potencialisht mund të ketë edhe arrestime të tjera. Nëse nisemi prej kësaj procedure të veprimit që tashmë po e shohim, potencialisht mund të ketë edhe arrestime të tjera”.

Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje.

Të ngjashme