E kaluara jeton brenda nesh

Prishtinë | 15 Qer 2019 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Për shkrimtarin malazias Mirash Martinoviq, antikiteti është kulmi i çdo gjëje. Është koha kur janë thënë të vërtetat. Në antikitet e gjen rrëfimin edhe romani i tij “Teuta”, i cili u ribotua së fundmi nga Botimet KOHA. Martinoviq nuk i është ndarë së kaluarës. Asaj i ka dhënë jetë nëpërmjet veprave të tij dhe për këtë numëron disa arsye. “E kaluara s’mund të harrohet, shkruan sot Koha Ditore.

Njeriu e gjen veten duke zbuluar të kaluarën. Krejt e kaluara jeton në ne”, thotë ai në një intervistë për “Kohën Ditore”. Flet edhe për politikën, nacionalizmat, përplasjet me opozitës serbe në Mal të Zi, një betejë prej së cilës ky vend i pavarësuar më 2006 s’po arrin të dalë.

KD: Po bëhet gati një dekadë prejse kemi biseduar gjerë e gjatë. Ka qenë pikërisht romani juaj “Teuta” kryefjalë e asaj interviste botuar në tetorin e 2010-s. Tash, pas kaq vjetësh sërish po kjo vepër e juaja është arsyeja e “ritakimit”. Është ribotuar nga Botimet KOHA. Them se e di përgjigjen, se është lajm i mirë për një shkrimtar, por do të doja të dija se çfarë mendoni se e mban gjallë pikërisht këtë vepër?

Martinoviq: Thjesht, s’mund ta besoj se kanë kaluar dhjetë vjet që prej botimit të parë të romanit “Teuta”, dhe natës kur me padurim kam pritur kopjet e para të dërguara me autobus nga Prishtina në Podgoricë, emocionet dhe gëzimin e papërshkrueshëm për faktin se libri im gjëllin në një tjetër gjuhë, në rastin konkret, në shqip. Flaka Surroi ka luajtur rolin kryesor dhe këtë më duhet ta theksoj pashmangshëm në fillim të kësaj bisede. Shfrytëzoj rastin ta falënderoj për botimin e dytë. Gëzimi është i pamatshëm për shkrimtarin kur e sheh librin e vet në një tjetër gjuhë, e pos kësaj edhe botimin e dytë. Është shenjë se është në duart e shumë lexuesve. Disi përnjëherë, pas një dekade, lexuesit nisën ta kërkojnë “Teutën”. Është shenjë se libri ka energji, mesazh që e mban në jetë, duke zgjuar interesim te lexuesit. Kjo është jeta e dytë për të në gjuhën e shqiptarëve.

Të ngjashme