“Esenca e ekzistencës”, ekspozitë e artistëve nga Maqedonia

Prishtinë | 27 Nën 2017 | 13:26 | Nga

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK) sonte nga ora 19 hapet ekspozita kolektive e artistëve nga Maqedonia “Esenca e ekzistencës”.

“Është një koncept artistik i cili u drejtohet sferave të ndryshme të përditshmërisë, të jetës, ekzistencës, perceptimeve të cilat vijnë nga aspekte të ndryshme drejt esencës së qenies, të mbijetesës, të funksionimit. Këtu përfshihen gjeneza e dashurisë, shpirtërores, të ushqyerit… kurse nën këtë diskurs zbulohen edhe çështjet e dinjitetit, ideologjisë, politikës, jetës sociale”, shkruan në njoftimin e organizatorëve të ekspozitës.

“Ky koncept me një kuptim të përgjithshëm do t’i përfshijë aspektet e tridhjetë artistëve bashkëkohorë të Maqedonisë të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj parimeve ekzistencialiste, duke përdorur media të ndryshme të shprehje vizuale – nga ato klasiket: piktura, grafika, skulptura, duke kaluar te instalimet, objektet, fotografitë, e deri te video projektimet, printimet digjitale, performansat, audioinstalimet”.

“Artistët e përzgjedhur, Ismet Ramiçeviq, Metodi Angellov, Atanas Botev, Vana Urosheviq, Irena Paskali, Aleksandar Stankoski, Velimir Zhernovski, Gjorge Jovanoviq, Marija Sotirovska, Igor Sekovski, Osman Demiri, Sllavica Janeshlieva, OPA, Mihaela Jovanovska, Zero, Nehat Beqiri, Zeni Ballazhi, Zhaneta Vangeli, Dita Starova Qerimi, në fjalorin e tyre krijues përdorin elemente të cilat i shkojnë për shtat diskursit kryesor të konceptit, ndërkohë që secili prej tyre i shqyrton gjërat esenciale të ekzistencës në mënyra të ndryshme dhe prej këndvështrimeve të ndryshme. Shpresojmë dhe besojmë se me këtë pamje tematike do të ofrojmë një mundësi këndvështrimi të artit bashkëkohor të Maqedonisë” – Ana Frangovska, Goranço Gjorgjievski, Maja Çankullovska.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 dhjetor.

Të ngjashme