Filluan punimet restauruese në shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në facebook ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme filluan punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

“Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin”.

“Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në pjesën e jashtme. Si e tillë kjo është një ndër shtëpitë e para të këtij stili në Mitrovicë dhe Kosovë. Stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, paraqet kthesë radikale të kalimit nga ndërtimi i objekteve me ndikim të arkitekturës të stilit oriental, në ndërtim të objekteve me stil të arkitekturës moderne europiane”.

Në njoftim thuhet se procesi i restaurimit do të përfshijë ndërhyrjet në pjesën e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës.

“Fokusi kryesor jashtë është në restaurimin e dekorimeve në fasada, punimet e zdrukthëtarisë dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve. Brendësia do të revitalizohet dhe përdoret si hapësirë komunitare për aktivitete kulturore në katin përdhes, ndërsa kati i parë dhe i dytë janë planifikuar të shërbejnë për zyrën e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë”.

Ky projekt sipas ministrisë pritet të përfundoj në fund të këtij viti.

“Restaurimi po bëhet në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa zbatohet nga UNDP”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme