Janë këngëtarë të shumtë shqiptarë që ka kohë që po bëjnë hapa tutje për ta zhvilluar karrierën e tyre muzikore në arenën ndërkombëtare.
Shumë prej tyre, sapo kanë nisur këtë rrugëtim, e disa të tjerë janë gati për të pushtuar skenën muzikore në botë.
Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri e cila ka kohë që është shpërngulur në Amerikë, është në përgatitje të një albumi e që do jetë në gjuhën angleze, duke shënuar kështu debutimin në këtë treg. Këngëtarja, nëpërmjet llogarisë së saj në Instagram, ka publikuar një video ku shfaq emrat e artisteve të njohura botërore, por duke mos munguar edhe emrat e njohur shqiptarë si Vaçe Zela, Tefta Tashko, Marije Kraja, Leze Qena, Arta Dobroshi etj. “King” do të titullohet albumi, për të cilin tashmë është duke punuar me producentë të njohur në Los Angeles. Duffye në mars publikoi videoklipin e këngës “Four Season”, ku shfaqet edhe reperi i njohur French Montana.
Kur jemi te ky i fundit, reperi do të ketë një bashkëpunim edhe me një shqiptare tjetër. Bëhet fjalë për Era Istrefin, e cila në bashkëpunim pikërisht me French Montanan, tashmë kanë realizuar projektin më të ri.
“No I love yous” titullohet kënga, e cila do të publikohet më 25 gusht. Kjo u zbulua nëpërmjet intervistës së dhënë nga këngëtarja, për revistën e njohur “Forbes”, e cila edhe e ka vlerësuar Erën si ylli i ardhshëm i muzikës pop.
Pas këngës “Forever is Over” këngëtarja Elvana Gjata duket se tashmë ka gati edhe videoklipin më të ri. Megjithëse ende nuk është konfirmuar asgjë, këngëtarja gjatë ditës së hënë ka publikuar një video në Instagram, me titullin “Ky xhirim është bërë në prill”. Nga pamjet, duket se kjo video është shkëputur nga xhirimet e klipit më të ri. Revista “Albaniac” ka zbuluar se kënga e radhës nga Elvana është në bashkëpunim me një ndër reperët më të njohur amerikan, Ty Dolla Sign, i cili njihet për bashkëpunimet me artistë si Wiz Khalifa, Future, The Weeknd etj.
Një emër shqiptar, për të cilin shkruhet kudo në shtypin muzikor amerikan, është reperi “G4shi”, dhe kjo tregon se suksesi i tij sa vjen e rritet. Teksa “Disrespectuful” dhe “Turn me Down”, kanë provuar suksesin në tregun muzikor, G4shi pritet të publikojë një tjetër këngë. Express Summer ka mësuar se kënga e radhës do të titullohet “24 orë”, të cilën reperi e ka interpretuar në koncertin e tij të fundit në New York.
Ndryshe, G4shi është parë në studio me producentin më të njohur në botë, “Skrillex”, me të cilin do të ketë një bashkëpunim, për albumin e këtij të fundit. Kjo u bë e ditur pasi G4shi publikoi një video duke punuar në studio përkrah Skrillexit.