Fatmire Shehu-Sallah një pjesë të fëmijërisë së saj e ka kaluar në atelienë e babait të saj të ndjerë, piktorit Tahsin Shehu. Me kureshtje ka përcjellë procesin e punës. Pikërisht aty ka filluar që ta zhvillojë imagjinatën krijuese dhe shkathtësitë për realizimin e veprave artistike.
Kësisoj edhe ka nisur rrugëtimin për t’u bërë trashëgimtare e artit të krijuar nga prindi i saj, për ta bartur e plotësuar atë me dekada deri në ditët e sotme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ngjashëm, siç bënte dikur piktori Shehu, edhe Fatmirja ka ndërthurur artin me elementet e një zanati tradicional në Prizren, të zhvilluar përgjatë shekujsh në Lagjen e Tabakhanes, duke sjellë krijime artistike nga lëkura, që realizohen ekskluzivisht me punëdore.
“Krahas profesionit të shenjtë të mësuesisë, prej vitit 1990 merrem me krijime artistike, pra punëdore nga lëkura, që e kam trashëguar nga babai im i ndjerë, piktori akademik Tahsin Shehu”, thotë Shehu-Sallah, duke theksuar se është rritur në një familje arsimdashëse, me ç’rast dy profesionet e prindërve të saj (nëna-mësuese dhe babai-piktor) janë manifestuar tek ajo, si shpirtërisht ashtu edhe në fantazinë artistike…