Shpresa Faqi do që të njihet si artiste. Nuk i pëlqen ta quajnë refugjate, apo të ketë emër tjetër.
Këtë epitet ia ka krijuar vetes përmes veprave. Më së miri këtë e bën të qartë me projektin e saj të fundit, me titull “Vozitja”.
Blloku me letra të bardha i “shkarravitur” me tush u bë dokument, i cili në vete ka histori të njerëzve dhe vendeve të ndryshme.
Një udhëtim prej Kasselit të Gjermanisë për në Prishtinë, bashkë me ndalesat nëpër qytete të tjera, u bë rrugëtimi jetësor i saj.
Përshkimi i të njëjtës rrugë që para 28 vjetësh e kishte kaluar me familjen e saj kur braktisën Kosovën, sjell rrëfime të fuqishme. Prej Kasselit në Bielefeld, më pas në Salzburg e Lubjanë, Sarajevë e Podgoricë, Ulqin dhe në fund Prishtinë, ajo rikthehet në kohë.