Platforma “Artmotion” ka marrë ekskluzivitetin edhe të rreth 40 kanaleve televizive, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i kësaj platforme, Alaudin Hamiti, tregoi se mbi 30 kanale televizive turke do të hyjnë në Art Motion.
Ai njoftoi se së shpejti do të jetë në treg edhe platforma online e Artmotion me të gjitha kanalet për telefon.
“Për 15 muaj sa ka filluar të hyjë fuqishëm në treg ka bërë dallimin mes platformave tjera. Ne jemi munduar të sjellim kualitet, kemi krijuar 14 kanale vetanake që përmbajnë tematika të ndryshme. Ne kemi zgjeruar gamë dhe jemi platforma e vetme që ofrojmë 200 kanale nacionale dhe vendore. Kemi arritur marrëveshjen që të sigurojmë të drejtat ekskluzive për të gjithë abonuesit e Artmotion, ata do të mund t’i ndjekin kanalet turke vetëm në kanalin tonë. Mbi 30 kanale turke janë ofruar në platformën tonë. Kjo nuk është risia e vetme, risi është edhe kanali shqipfolës Alsat, nga korriku është dhe mund të ndiqet në platformën Artmotion”, tha ai, raporton EO.
Hamiti tha ndër të tjera se gjatë 15 muajve punë kanë krijuar edhe 14 kanale vetanake, duke bërë kështu edhe diferencën ndaj platformave tjera.
“Artmotion po rritet, po krijohet një familje e madhe. Së shpejti do lansohet një aplikacion. Me gjithë këto shtesa të kanaleve, numri i kanaleve që do t’i afrojmë do arrijë afër 250 në platformën tonë që është maksimumi i platformave tjera. Me gjithë këto kanale shtesë, çmimet nuk do të ndryshojnë. Ne i kemi tri pako, pako standart dhe premium. Çmimet nuk ndryshojnë, vetëm kanalet do të shtohen dhe do pasurohen”, tha ai.
Menaxheri i marketingut, Shpend Sadiku, tha se aplikacioni në mobil do të jetë i qasshëm për të gjithë ata që duan ta kenë në telefonin e tyre.
“ Të gjitha këto kanale do të mund të ndiqen edhe në aplikacionin mobil. Aplikacioni mobil do jetë i pranishëm në mobile. Kjo është një risi tjetër që do dalim shumë shpejt dhe do jetë i qasshëm për të gjithë ata që e duan aplikacionin”, tha Sadiku, raporton EO.