Duket se skuadrën e Real Madrid do ta ketë të vështirë ta kthejë në rrugë edhe Zinedine Zidane.
Real Madrid është mposhtur edhe në xhiron e fundit të La Ligas, në përballjen me Real Betis, shkruan lajmi.net.
‘Los Blancos’ dëshpëruan edhe njëherë të pranishmit në ‘Santiago Bernabeu’, duke u mposhtur me rezultatin 0:2.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por në pjesën e dytë mysafirët arritën që të shënonin dy herë në portën e Keylor Navas, për të cilin mund të jetë ndeshja e fundit që e luan me fanellën e Real Madrid.
Ishte fillimisht Loren Moron, i cili në minutën e 61’ zhbllokoi rezultatin duke i dhënë epërsinë Betisit, shkruan lajmi.net.
Kurse, në minutën e 75’, Jese Rodriguez u përkujdes që t’i jepte goditjen finale ish skuadrës së tij.
Kështu, Real Madrid e mbyll sezonin me 68 pikë të grumbulluara, në pozitën e tretë në La Liga, duke siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.
Real Betis në anën tjetër e përfundon këtë kampanjë në pozitën e 10-të në tabelë, me 50 pikë të grumbulluara.