Kuvendi komunal i Prishtinës me shumicë votash, 38, ka aprovuar propozim vendimin e ekzekutivit që kryeqytetasve të prekur nga koronavirusi tu jepet ndihmë financiare.
Sipas këtij vendimi, të drejtë aplikimi për marrjen e këtyre parave kanë 13648 persona të cilët janë të regjistruar nga IKSHKP si të prekur me COVID-19, njofton Klan Kosova.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, sqaroi se të gjithë të sëmurët nga ky virus të cilët janë nën 65 vjeç do të marrin nga 50 euro, ata të cilët janë mbi 65 vjeç do të marrin nga 100 euro.
Ndërsa të sëmurët të cilët po ashtu janë edhe në asistencë sociale do të marrin nga 130 euro.
Të gjitha procedurat pritet të kryhen deri më 25 dhjetor të këtij viti.
Por asamblistët e Kuvendit komunal të Prishtinës patën edhe kërkesa tjera, që barnat të cilat janë të nevojshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje të ofrohen nga komuna, gjë e cila u tha nga nënkryetari se do të ndodhë së shpejti.