Është mbajtur sot mbledhja e dytë për këtë vit e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, me ç ‘rast janë shqyrtuar një sërë pikash të rendit të ditës, të cilat kryesisht në këtë mbledhje kanë ardhur pas dritës së gjelbër të marrë në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa.
Fillimisht, anëtarët e Kuvendit Komunal, me unanimitet të plotë, e kanë votuar propozim-vendimin e kryetares së komunës, Mimoza Kusari-Lila për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronave të paluajtshme komunale, gjegjësisht dyqaneve. Nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila është sqaruar se bëhet fjalë për njëzet e një dyqane, prej mbi pesëdhjetë sish të identifikuar si pronë komunale, të cilat për herë të parë që nga përfundimi i luftës janë identifikuar dhe janë vënë nën pronësi të komunës. Këto prona përmes ankandit publik do të ipen në shfrytëzim pesëvjeçar.
Kuvendi komunal e ka votuar edhe propozim-vendimin tjetër të kryetares së Komunës, që ka të bëjë me plotësim-ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës 01nr.011-37/208, të datës 26.12.2008.
Këshilltarët komunalë kanë votuar edhe ndryshimin e kodit për ndarjen e mjeteve në shumë prej mbi 40 mijë euro nga investimet kapitale për projektin e ri të ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në Gjakovë, që është kërkuar nga Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, si dhe shpalljen e interesit publik në rrugët (segmentet) e planifikuara në zonën lindore përgjatë rrugës transite “Tirana”, të planifikuara sipas planit rregullues të hollësishëm, që është prezantuar dhe kërkuar nga Elida Bejtullahu, U.D. drejtore e Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Mbrojtjes së Mjedisit.
Pas prezantimit nga Shar Kurtishi, konsulent i angazhuar nga UNICEF-i, Kuvendi Komunal ka votuar edhe Draft-Rregulloren për Realizimin e të Drejtave të Fëmijëve përmes Sistemit Qeverisës Komunal Miqësor me Fëmijët.
Po ashtu unanimisht janë votuar edhe dy kërkesat e prezantuara nga Drejtoria e Urbanizmit dhe të Mbrojtjes së Mjedisit që ka të bëjnë me plotësimin e vendimit 01 nr.020-37457/2016 të datës 21.07.2016 për hartimin e planit zhvillimor komunal dhe plotësimin e vendimit 01 nr.020-37481/2016 të datës 210.07.2016 për hartimin e hartës zonale komunale.
Me unanimitet këshilltarët komunal janë deklaruar edhe në kërkesën e Drejtorisë së Kadastrës për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër përmes ankandit publik të pronave komunale si dhe ndarjen e subvencioneve në shumë prej 40 mijë euro për Teatrin e Qytetit të Gjakovës.
Ndër pikat e fundit të kësaj mbledhje, është miratuar edhe Rregullorja për Themelimin, Funksionimin dhe Përgjegjësitë e njësisë për menaxhimin e Çarshisë së Madhe në Gjakovë si dhe është themeluar Komiteti Konsultativ për Mbrojtje të Mjedisit.