Mbetet në fuqi dënimi prej 3 mijë eurosh për dy zyrtarët e Spitalit të Gjakovës

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit, më 13 janar të këtij viti, e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila Vera Lleshin e kishte dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa me 500 euro gjobë për deklarim të rremë ishte dënuar Jehona Arapi.

Lleshi akuzohej se në cilësinë e anëtares së komisionit për zgjedhjen e operatorit në SISH në Spitalin e Gjakovës gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Ndërsa, kandidatja Jehona Arapi akuzohej për deklarim të rremë, gjatë deklarimit të saj në Stacionin Policor në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin e Apelit thuhet se Gjykata Themelore në Gjakovë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë këtë çështje penale.

Sipas Apelit, pretendimi i mbrojtjes se nga video incizimet e bisedës së të akuzuarës Lleshi me dëshmitaren L.LL dhe vetë deklarata e të akuzuarës, se në testin në fjalë ka ndërhyrë dëshmitari J.H, nuk është i bazuar.

“Dëshmitari J.H gjatë procedimit të tij në shqyrtimin gjyqësor ka deklaruar se është nënkryetar i sindikatës dhe se ka të drejtë të shkojë si vëzhgues gjatë pranimit të kandidatëve, mirëpo ka mohuar të ketë ndërhyrë në testin në fjalë, pasi që nga pozicioni i tij nuk ka të drejtë të ndërhyjë por vetëm të vëzhgojë gjatë procesit të testimit”, thuhet në arsyetim të Apelit.

Tutje sipas Apelit, e akuzuara Lleshi gjatë deklarimit të dëshmitarit të lartcekur nuk ka pasur pyetje apo vërejtje, ndërsa me faktin se i njëjti ka ndërruar jetë tani e akuzuara pretendon se në testin me shkrim ka ndërhyrë J.H, dhe se në anën tjetër dëshmitarja L.LL ka mohuar se e ka parë J.H të ketë ndërhyrë në testin e Jehona Arapit.

Ndryshe, ky rast sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik ka shkuar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Lleshi ngarkohej edhe me veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, mirëpo për këtë pikë gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, meqenëse ish- prokurori Ali Uka kishte hequr dorë në fjalën e tij përfundimtare nga kjo vepër, me arsyetimin se kjo vepër konsumohet në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 21 maj 2020, Vera Lleshi akuzohej se më 15 maj 2017, rreth orës 11:00, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.

Tutje sipas aktakuzës, këtë e ka bërë në atë mënyrë që gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Për këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës publike apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Lleshi akuzohej në po të njëjtën ditë ndryshon dokumentin origjinal me qëllim për shfrytëzimin e atij dokumenti si origjinal, duke ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, duke e riplotësuar me qëllim që t’ia mundësoj ngritjen e pikëve gjatë vlerësimit të testit me shkrim, ashtu që në bazë të raportit të eksperimentimit grafologjik të AKF-së janë identifikuar karakteristikat e përgjithshme dhe individuale që përputhen me karaktaristikat e dorëshkrimeve të anëtares së komisionit punues Vera Lleshi në testin origjinal të kandidates Jehona Arapi.

Për këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 434 paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Ndërsa, e akuzuara Jehona Arapi akuzohej se më 8 gusht 2019, gjatë dhënies së deklaratës në cilësinë e dëshmitares në Stacionin Policor në Gjakovë me vetëdije paraqet deklarim të rremë, në atë mënyrë se kinse gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit në Gjakovë, me rastin e plotësimit të testit nuk e kishte ndihmuar askush nga anëtaret e komisionit dhe se shkrimi në testin e saj është i tëri i saj dhe kishte përdorur dy stilolapsa, dhe në bazë të kësaj deklarate arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kandidatët e tjerë.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Deklarim i rremë” 392 paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet me gjobe dhe me burgim deri në 1 vit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme