Jeton Mushkolaj, kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Deçan, ka thënë për Klan Kosovën se nuk është e vërtetë që asamblistët e LDK-së kanë bojkotuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal në Deçan për Ramush Haradinajn, porse ata as që janë lajmëruar se një mbledhje e tillë do të mbahet.
Asambleja komunale e Deçanit ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme ku është kërkuar nga qeveria franceze lirimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe nga Qeveria e Kosovës pezullim i dialogut me Serbinë, por asamblistët e LDK-së nuk ishin të pranishëm.
Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, që vjen nga radhët e AAK-së, ka deklaruar se një mungesë e tillë nuk është dashur të bëhet pasi mbledhja e Asamblesë është kërkuar nga të gjithë qytetarët e Deçanit pa dallim partie.
Por, Mushkolaj, në një prononcim për Klanin, mohoi ta kenë bojkotuar mbledhjen, dirsa mungesën e LDK-së në sallë e ka arsyetuar me faktin se nuk kanë qenë të lajmëruar paraprakisht.
“Nuk ka pas bojkot. Sot e kemi marrë vesh diku në orën 12:00. Një pjesë e asamblistëve janë në pushime, s’kanë pas qasje. Pjesa tjetër s’kanë qenë të informuar. Nuk e di qysh komuna ka organizuar seancë në ditë pushimi, sot është ditë pushimi”, ka thënë Mushkolaj.
“Nuk është vërtetë se kemi bojkotuar, pyetni ata pse e kanë mbajt seancën në ditë pushimi. Por, si pushtet ata, AAK, janë të prirë me bë këso spektaklesh, por kjo s’ka lidhje me bojkot, ju them me siguri”.
“Pesë prej asamblistëve s’e kanë ditë hiç, tjerët nuk janë lajmëruar. Kjo është e vërteta”.
Përndryshe, Mushkolaj ka thënë se e respektojnë shumë Haradinajn si qytetar të Kosovës dhe se ndjejnë keqardhje për këtë që po i ndodhë atij.
“Shpresojmë të lirohet sa më parë”.