Endrit Gashi, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe nënkryetar i Aleancës në degën e Prishtinës, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.
Vendimi i tij vjen pas disa publikimeve në të cilat është pretenduar se po përgatitet terreni që babai i tij të emërohet kryeshef i Ndërmarrjes Lokale Publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se dorëheqja vjen si rezultat i zhvillimeve që, sipas tij, kanë ndodhur për një periudhë të gjatë, të shoqëruara me sulme të orkestruara dhe publikime të porositura nga individë brenda partisë
“Kam marrë vendimin që të jap dorëheqje nga Aleanca. Ky vendim vjen si rezultat i zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë një periudhe të gjatë, të shoqëruara me sulme të orkestruara dhe, së fundmi, me publikime të porositura nga individë brenda partisë, me qëllim të denigrimit të figurës sime dhe të familjes sime”, ka shkruar Gashi.
Ai ka deklaruar se gjatë angazhimit të tij ka vepruar me përkushtim, integritet dhe përgjegjësi, duke respektuar ligjin dhe interesin publik.
“Kur sulmet personale zëvendësojnë debatin politik dhe kur tolerohen praktika që cenojnë dinjitetin njerëzor, vazhdimi i angazhimit tim nuk është më i mundur”, ka thënë ai.
Gashi ka bërë të ditur se, pavarësisht largimit nga Aleanca, do ta vazhdojë angazhimin në Kuvendin Komunal të Prishtinës si asambleist i pavarur.
Deri më tani, nuk ka pasur reagim publik nga Aleanca lidhur me dorëheqjen e tij.