Një asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dalë kundër vendosjes së flamurit shtetëror tek rrethi në Prishtinë.
Egzon Azemi, përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë thirrje që të martën në mëngjes të mblidhen tek flamuri për ta nderuar atë.
“Propozoj dhe ju ftoj që nesër nga ora 08:00 në mëngjes e deri vonë të mblidhemi tek rrethi i flamurit, jo për ta ruajtur atë por për ta nderuar atë”, ka shkruar asamblisti i VV-së në Facebook.
Madje ai ka shkruar se aty nuk do të lejohet as të shtohet flamuri i Kosovës.
“Ai flamur jo që s’do të hiqet, por aty do të ndalohet vendosja e çfarëdo flamuri tjetër”, ka shkruar Azemi në Facebook.
Ai i ka quajtur “arrogant anti-kombëtarë” qytetarët që po duan ta heqin flamurin kombëtar për ta vendosur, siç e ka quajtur ai “flamurin e Ahtisarit”, duke aluduar në flamurin shtetëror.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e flamurit shtetëror.
“Qeveria as nuk ka kërkuar leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e flamurit të Ahtisaarit në atë lokacion dhe ky provokim i paarsyeshëm duhet të marrë fund. Ka mjaftë rrethe e vende tjera ku mund të vendosni flamuj, por jo në të vetmin vend ku e kemi flamurin kombëtar”, ka shkruar tutje ai.