Me 13 milionë e 904 mijë euro humbje e ka mbyllur vitin 2017 Telekomi i Kosovës. Pos të hyrave, në “rënie të lirë” janë edhe asetet e kësaj ndërmarrjeje. Sipas raportit të auditorit të pavarur, një kopje të të cilit e ka “Koha Ditore”, asetet e Telekomit në vitin 2016 kapnin shifrën prej 93 milionë eurosh, përderisa në vitit 2017 e tërë vlera e ndërmarrjes vlerësohet me 80 milionë euro, apo 13,9 milionë më pak.
Gjatë vitit të kaluar shpenzimet e ndërmarrjes që është në prag të falimentimit ishin 85 milionë euro, ndërsa të hyrat 71 milionë.
Barrën më të madhe Telekomi i Kosovës e ka koston për punëtorët e tij. 26 milionë euro në vit, apo 30 për qind të shpenzimeve, shkojnë për pagat e 2300 punonjësve të ndërmarrjes. Ndërkaq 16 milionë euro janë shpenzime operative, ku përfshihen qiratë për objektet që i shfrytëzon.
Dikur Telekomi i Kosovës ka qenë ndërmarrja më fitimprurëse publike në Kosovë, e cila buxhetit të shtetit i sillte miliona euro çdo vit.