Investimet infrastrukturore në fshatrat e Ferizajt po vijojnë me intensitetin e njëjtë. Këtë të mërkurë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi panë nga afër asfaltimin që po kryhet në 8 rrugë të fshatit Koshare dhe 16 rrugë në fshatin Slivovë, që në total përbëjnë 24 rrugë të reja të asfaltuara të punuara sipas standardeve më të larta infrastrukturore me 5-6 metër gjerësi si dhe 560 metër trotuar në tërësi.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu theksoi se siç është deklaruar edhe më parë, projektet infrastruktore që do të realizohen në mandatin e tij qeverisës do të jenë projekte me standardet më të larta infrastrukturore në mënyrë që banorëve t’i ofrohen kushte të mira qarkullimi dhe investimi publik të këtë qëndrueshmëri më të madhe në kohë.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, paraqiti detajet teknike të projektit, duke përmendur se ky projekt është projekt tre vjeçar që parasheh asfaltimin e 24 rrugicave të ndara për fshatrat Koshare dhe Slivovë, me 560 metër trotuare në tërësi, gjerësi 5-6 metër si dhe kosto prej afro 400,000 euro.
Banorët e fshatrave Koshare dhe Slivovë kanë mirëpritur këtë investim të rëndësishëm infrastrukturor nga ana e Komunës duke e falënderuar të parin e Ferizajt, Aliu për vëmendjen ndaj kërkesave të këtyre banorëve si dhe vullnetit që të përmbyll ciklin e investimeve infrastrukturore të nevojshme për fshatrat e lartpërmendura.