Komuna e Ferizajt, gjatë këtyre ditëve është në vlugun e realizmit të shumë projekteve infrastrukturore. Njëri ndër këto projekte është edhe rregullimi dhe asfaltimi i rrugës “Xhafer Deva” në Ferizaj.
Punimet në asfaltimin e kësaj rruge nga afër sot i ka parë edhe numri një i qeverisë lokale të Ferizajt, Muharrem Svarqa, së bashku me drejtorin e Infrastrukturës, Gafurr Ilazin.
Kryetari Svarqa tha se ky projekt po realizohet në kuadër të investimeve që po bëhen në qytet.
“Rruga ‘Xhefer Deva’, është një rrugë shumë e rëndësishme sepse lidh edhe dy rrugët kryesore: rrugën ‘Kadri Zeka’ dhe rrugën ‘Astrit Bytyqi’, një rrugë që është e gjatë mbi 350 metra dhe që pa pasur nevojë për shpronësime, ne kemi arritur mesataren pesë metra e gjysmë ta kemi në tërë sipërfaqen e kësaj rruge, e cila buxhetit të komunës së Ferizajt i ka kushtuar 35 mijë euro”.
“Mendoj se po bëjmë gjithçka që është e mundur që asfaltimet për rregullimin e infrastrukturës rrugore, tanimë mos të kenë të ndalur në Komunën e Ferizajt. Unë jam shumë i sigurt që kjo ka qenë një pritje shumë e gjate e këtyre banorëve por shpeshherë pritjet e gjata shpaguhen, për shkak të aplikimeve të standardeve dhe kualiteteve që po zbatojmë në realizmin e këtyre projekteve”, është shprehur kryetari Svarqa.
Emine Berisha banore e kësaj lagjeje tha se asfaltimin e rrugës së tyre e kanë pritur me vite të tëra.
“Ka 30 vite që presim asfaltimin e rrugës sonë. Kjo rrugë ka qenë në gjendje të mjerueshme, ndërsa ne sot falënderojmë Komunën dhe kryetarin që po bëjnë rregullimin e rrugës sonë”, ka thënë Berisha.
U bë e ditur se gjatë këtij viti në Komunën e Ferizajt do të kryhen rreth 96 projekte infrastrukturore, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të ketë edhe asfaltime të rrugëve të tjera në qytet, por edhe në fshatrat e Komunës së Ferizajt.