Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka konfiskuar dhe asgjësuar rreth 1 ton qumësht dhe nënprodukte të tij, të cilat ishin prishur për shkak të mosplotësimit të kushteve të transportit.
Inspektorati komunal, sot paradite, kishte marrë njoftimin nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia e Trafikut Rrugor në Ferizaj, për ndalimin e një mjeti transportues që po bartte ngarkesa të mëdha të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me dyshimin se po bartnin këtë ngarkesë pa plotësuar kushtet e transportit.
“Inspektorati Komunal ka dalë menjëherë në inspektim të ngarkesës në këtë mjet transportues nga ku u konstatua se afro 1 ton qumësht dhe nënprodukte të tij janë të prishura, prishje që është shkaktuar për shkak të mosplotësimit të kushte të transportit”, ka njoftuar Komuna e Ferizajt.
Përkitazi me këtë rast, Inspektorati Komunal ka bërë konfiskimin dhe asgjësimin e kësaj sasie dhe ka nisur procedurat e nevojshme pranë organeve të drejtësisë.
Sasia e konfiskuar dhe asgjësuar ishte e destinuar për shpërndarje në pika të ndryshme shitëse në Ferizaj.
Inspektorati Komunal falënderon Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësinë e Trafikut Rrugor për bashkëpunimin dhe vigjilencën ndaj këtyre rasteve, njëherazi inkurajon qytetarët ferizajas të denoncojnë rastet ku hasin në produkte të dyshimta në pikëpamje të cilësisë dhe kushteve të ruajtjes.