Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se janë asgjësuar 19 krerë gjedhe të infektuara me tuberkuloz në fshatin Gushicë dhe Verban të Komunës së Vitisë.
Sipas AUV-së, menjëherë pas konstatimit të infeksionit, është ndaluar lëvizja e kafshëve nga këto ferma, në përputhje me Ligjin e Veterinarisë dhe rregulloret në fuqi.
Me krijimin e kushteve teknike dhe logjistike, asgjësimi i kafshëve është realizuar nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë në një vend të përcaktuar nga komuna, në kodrinën Bagdad, e destinuar për groposje të kafshëve.
Pronaret e fermave janë urdhëruar që të kryejnë pastrimin dhe dezinfektimin e fermave dhe është ndaluar popullimi i tyre për një periudhë gjashtëmujore.
Agjencia, përmes një kompanie të kontraktuar, ka siguruar asgjësimin dhe dezinfektimin e ambienteve ku qëndronin kafshët e infektuara, si dhe do të kompensojë fermerët për humbjet e pësuara.