ASK: Deficiti tregtar shënoi rritje prej 7.4 %

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 14:43 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për vitin 2016. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 2 479.8 milionë Eurosh, ose shprehur në përqindje deficiti tregtar ishte më i lartë për 7.4%, krahasuar me vitin 2015. Pra, edhe në këtë vit kemi bilanc negativ. Totali i eksporteve në vitin 2016 ishte 309.6 milionë Euro, ndërsa totali i importeve ishte 2 789.4 milionë Euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 11.1%.

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë vitit 2016 me ato të vitit 2015, shifrat tregojnë një rënie vjetore për (-4.8%). Rënie, që ka rritur edhe më tej bilancin negativ tregtar të Kosovës. Ndërkaq, të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2016 kanë shënuar një rritje vjetore rreth 5.9%, duke krahasuar me vitin paraprak 2015. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 69,.9 milionë Euro, ose rreth 22.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 34.0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania me 4.5%, Holanda me 3.8%, Bullgaria me 3.6% dhe Austria me 2.2%.

Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1 202.1 milionë Euro, ose 43.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 8.0%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.3%), Italia (7.3%), Greqia (4.2%), Polonia (2.7%) dhe Sllovenia (2.2%). Ndërkaq, gjatë vitit 2016, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 144.2 milionë Euro, ose 46.6% e eksporteve të përgjithshme, ku kishte një rritje prej 16.6%. Partnerët kryesorë për eksport në vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13.6%), Serbia (13.3%), Maqedonia (12.5%) dhe Mali i Zi (4.5%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2016 arritën në 753.1 milionë Euro, ose 27.0% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-2.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (13.9%), Maqedonia (5.6%) dhe Shqipëria (4.2%).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme